NE KONGRESIN E XXIII TE INTERASOS , BRASOV ,RUMANI

Nga Nebil Çika*

\I nderuar z. President i Kongresit !
Të nderuar delegate, miq të ftuar e të pranishëm të tjerë!
Në emër të të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërisë i uroj Kongresit punime të mbara dhe pjesëmarrësve këtu gjithë të mirat.
Shqipëria ishte gjatë periudhës së sundimit të komunizmit në Evropën Lindore një nga diktaturat më të egra dhe me më shumë pasoja në krahasim me popullsinë. Shqipëria ishte i vetmi vend zyrtarisht Stalinist dhe diktuara jone ishte e fundit që u përmbys, de facto në vitin 1992. Gjatë kësaj periudhe pati një shtypje politike çnjerëzore dhe mijëra krime politike, pjesa më e madhe të klasifikuara juridikisht si krime kundër njerizimit dhe gjenocid. Shqipëria ishte i vetmi vend ku u ndalua me ligj besimi në Zot dhe mijëra klerikë e besimtarë u pushkatuan, burgosen, internuan e persekutuan në forma të tjera për shkak të besimit në Zot.
Vendi u rrethua me tela me gjemba dhe arratisja konsiderohej si “tradhti kombëtare” dhe ndëshkohej me vdekje.
Zyrtarisht numri i të dënuarve me vdekje është rreth 10.000 persona por nga statistikat tona të grumbulluar në mënyrë empirike ky numër është shumë më i madh. Me shumë se 25 mijë persona kanë përfituar statusin zyrtar e të përndjekurit politik, të pushkatuar e burgosur direkt, ndërkohe që më shumë se 300 mijë të tjerë kryesisht gra, fëmije e pleq, familjarë të kundërshtarëve politik të regjimit komunist u mbajtën të izoluar në kampet e internimit në kushte çnjerëzore. Në kushtet e kampeve të shfarosjes në masë shumë prej tyre, veçanërisht fëmijë e pleq, vdiqën nga uria sëmundjet dhe keqtrajtimet. Ky ishte një program i planifikuar gjenocidi nga diktatura komuniste deri në ditët e fundit të saj, gjë që i shkaktoi të përndjekurve politikë të komunizmit dhe popullit shqiptar dëme të mëdha. Sipas statistikave të Sigurimit të Shtetit (policisë politike të diktaturës) numri i të përndjekurve politike në të gjitha format në Shqipërinë komuniste shkon deri në 35 % të popullsisë. Kësaj pjese të popullsisë i ishin ndaluar të gjitha të drejtat humane, lëvizja, arsimimi, zgjedhja etj. ndërkohë që persekutimi i familjeve të përcaktuara si armike të komunizmit zgjati për disa breza për 45 vjet rresht. Mund të sjell pa fund prova e fakte por ne të gjithë këtu kemi qenë pak a shumë në të njëjtën situate gjatë sundimit komunist dhe e dimë çfarë kanë hequr njerëzit tanë ne atë kohë.
Prandaj unë dua të përqendrohem më shumë me situatën aktuale të të përndjekurve politikë të komunizmit në Shqipëri, e cila fatkeqësisht është shumë e zymtë dhe e trishtueshme.
Për shkak te situatës politike në vend gjendja e të përndjekurve politikë të komunizmit në Shqipëri ka ardhur duke u përkeqësuar në të gjitha aspektet.
Qe nga shtatori i viti 2013 Shqipëria qeveriset nga ish komunistët apo pinjollë të tyre politike, juridikë e gjenetikë. Dua të theksoj se Partia Komuniste e transformuar formalisht në Parti Socialiste nuk ka pranuar asnjë përgjegjësi politike, morale e juridike të saj për krimet e komunizmit dhe për arsye ideologjike, në parim, ka mbetur po aq armiqësore sa në kohën e diktaturës komuniste.
Ajo ka kthyer ne pushtet, parlament, qeveri, gjykata, prokurori, shërbim sekret e polici, autorë të njohur të krimeve të komunizmit përgjegjës të drejtpërdrejtë për krime kundër njerizimit dhe gjenocid ose pinjollë të drejtpërdrejtë gjenetikë të tyre.
Sot Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, zyrtarisht posti Nr 2 i shtetit shqiptar është Gramoz Ruçi, ish drejtues i lartë i partisë Komuniste (PPSH) dhe ministri i fundit i brendshëm i qeverisë komuniste, përgjegjës për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Me gjithë protestat e forta tonat, ai u zgjidh nga shumica ish komuniste në pushtet në krye të Kuvendit në shtatorin e vitit të kaluar (2017) edhe me përkrahjen e hapur apo të heshtur edhe të komunitetit ndërkombëtar përfaqësuesve të SHBA, BE-së etje.
Ky moment vlerësohet nga ne si një provë e fortë e instalimit të neo komunizmit në vendin më komunist të Evropës gjatë luftës së ftohtë.
Por jo vetëm kaq. Drejtuesit kryesor të qeverisë janë bij të drejtuesve kryesorë të diktaturës komuniste. Kryeministri për shembull është bir e nip i dy drejtuesve të lartë komuniste. I ati i tij ka firmosur në vitin 1988 varjen e fundit të një poeti antikomunist në Evrope (Havzi Nela). Po kështu janë edhe ministri i Jashtëm, i Mbrojtjes etje.
Ndërkohë ministri i brendshëm është direkt një ish drejtues i Sigurimit te Shtetit, policisë sekrete politike të komunizmit i akuzuar publikisht për tortura të kundërshtarëve politike të qeverisë të komunizmit.
Kërcënimi nga rikthimi i komunizmit në forma e mënyra të tjera është i dukshëm edhe për ata qe nuk jetojnë në Shqipëri pasi qeveria ka rikthyer hapur simbolikën komuniste. Kështu në qendër të Tiranës kryeqytetit të Shqipërisë është ndërtuar në vitin 2016 një slogan i madh “21 dhjetori “ në përkujtim të ditëlindjes së Stalinit. Qeveritarët ish komunistë festojnë hapur festat e tyre me portrete të diktatorit Enver Hoxha dhe simbolet komuniste.
Ndërkohë rikthimi në poste shtetërore të ish pjestarve të ish policisë politike sekrete komuniste, gjyqtarëve dhe prokurorëve autorë të dënimeve politike është një fenomen masiv. Qeveria hoqi nga ligji nenin përkatës që i përjashtonte ata nga sistemi i drejtësisë në reformën e drejtësisë që Shqipëria po bën nën presionin e BE dhe SHBA.
Në Shqipëri që nga viti 2009 ka hyrë në fuqi ligji për dëmshpërblimin financiar të të dënuarve politike te komunizmit, pushkatuar, burgosur apo internuar. Mirëpo zbatimi i këtij ligji po zvarritet dhe aktualisht shuma e dëmshpërblimit nuk i kalon 15 % të asaj që përcakton ligji. Aktualisht qeveria me urdhër të ministrit të financave ka ngrirë fondin e kompensimit financiar dhe po përpiqet të ndryshojë ligjin për të përjashtuar nga skema e kompensimit trashëgimtarët e atyre qe nuk janë gjallë. Ligji vetë ka probleme pasi ka lënë jashtë skemës mijëra të dënuar sidomos ata me vdekje duke marrë të mirëqena akuzat e montuara politike nga diktatura për terrorizëm apo sabotazh.
Shqipëria nuk ka ende një ligj për dënimin e krimeve të komunizmit gjë që legjitimon praninë në, parlament, qeveri, sistem gjyqësor, institucionet e sigurisë kombëtare e publike, administratë shtetërore, media etje autorë të krimeve politike të komunizmit.
Pronat. Mos kthimi dhe kompensimi i tyre e kanë goditur rëndë shtresën e të përndjekurve politikë të komunizmit. Sipas statistikave 95% e pronarëve legjitimë prona e te cilëve u shtetëzua në komunizëm janë te përndjekur politike. Ligji për tokën i aplikuar pas rënies së diktaturës komuniste nuk ua kthen pronën pronarëve duke i dëmtuar ekonomikisht në masë të përndjekurit politike. Me gjithë përpjekjet tona shteti nuk ka pranuar të dëmshpërblejë konfiskimet e pasurive që u është bërë me vendime gjykate të dënuarve politike dhe familjeve të tyre një praktikë kjo e aplikuar gjerësisht në kohën e diktaturës.
Ligji për privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore të komunizmit ka favorizuar ish komunistët dhe administratën e diktaturës pasi u ka dhënë përparësi drejtuesve të këtyre ndërmarrjeve në procesin e privatizimit.
Situata e rëndë ekonomike e krijuar nga shteti për arsye politike ka bërë që shumë prej familjeve të përndjekura të jenë sot në ish kampet e internimit në pamundësi ekonomike të zhvendosen në vendet e tyre të origjinës apo në qendra më urbane.
Që nga viti 1992 ekziston një ligj që i mundëson Shoqatës së të përndjekurve politike një fond modest nga shteti për funksionimin minimal të saj, por ky fond që nga viti 2013 është ndërprerë nga qeveria aktuale neo-komuniste për arsye politike e elektorale pasi ne në mase nuk jemi mbështetës e votues të saj dhe nuk ka se si te jemi pasi nuk ka asnjë mundësi që ne të votojmë persekutorët tanë komunistë dhe pinjollët e tyre politike, juridike dhe gjenetike.
Ka edhe shumë detaje fakte e prova të tjera që dëshmojnë gjendjen e rëndë të të përndjekurve politike të komunizmit në Shqipëri por këto q thash besoj se e japin një ide të përgjithshme për atë që po ndodh në vendin tonë.
Dua të theksoj se shumë nga sjelljet armiqësore të qeverisë sonë neo-komuniste ndaj të përndjekurve politikë antikomunistë kanë ndodhur para syve të diplomatëve të partnerëve tanë perëndimorë institucioneve dhe vendeve anëtare te BE-se e jo rrallë herë edhe me përkrahjen e tyre, gjë që moralisht dhe politikisht e bën situatën tonë edhe më të rëndë. Prandaj gjej rastin ti bëj thirrje miqve tanë drejtues e delegatë të shoqatave simotra sidomos nga vendet anëtare të BE-së të shfrytëzojnë lidhjet dhe influencën e tyre me qeveritë dhe politikat e vendeve të tyre qe ato të mos e përkrahin qeverinë neo-komuniste të Shqipërisë sidomos në politikat e saj armiqësore me të përndjekurit politikë të komunizmit. Do ti lutesha këtij Kongresi qe në rezolutën që do të dali prej tij të përfshijë sa më shumë të jetë e mundur gjendjen në Shqipëri dhe problemet tona që unë bëra prezent këtu.
Duke përfunduar, i uroj edhe një here suksese kongresit dhe të pranishmëve këtu gjitha të mirat!
Zoti na bekoftë e na ndihmoftë!

Faleminderit !

*Kryetar i Shoqates Antikomuniste e te Përndjekurve Politike te Shqipërisë. Fjala ne kongresin e Inter-Asos ne Barasov