PJESËMARRJA JUAJ JU ÇNDERON !

Nga Nebil Çika

Pse s’shkova në përurimin e bustit të Arbnorit?!
Disa dite më parë kur mora një ftesë nga Kuvendi i Shqipërisë për të marrë pjesë në përurimin e bustit të të ndjerit Pjetër Arbënori, ish i burgosur politik i komunizmit dhe ish kryetar i Kuvendit u ndjeva shumë keq. Sytë më mbetën në frazën e fundit të ftesës ku thuhet: “Pjesëmarrja juaj na nderon”.
Kë nderon pjesëmarrja në këtë ceremoni të organizuar nga kreu i Kuvendit, ish ministri i fundit i brendshëm i diktaturës komuniste, përgjegjës për krime kundër njerizimit dhe gjenocid?! Sigurisht ata që persekutuan Pjetrin dhe qindra mijëra shqiptarë të tjerë antikomunistë të persekutuar, bashkëvajtjes të të ndjerit Arbnori. , ne të tjerëve pa tjetër na çnderon !
Kaq mjafton qe çdo antikomunist, i përndjekur politik i komunizmit, apo njeri normal me integritet e dinjitet të mos shkonte në këtë ceremoni vrastare më e keqe, më e poshtër dhe më e ndyrë se zbatimi i çdo vendimi pushkatimi në kohën e diktaturës.
Nuk shkova në ceremoni së pari për të respektuar Pjetër Arbënorin, sakrificën dhe idealin e tij. Jam i bindur se i kanë lëvizur eshtrat në varr nga kjo që xhelatët por edhe “miqtë” e tij i bënë tani pas vdekjes. Nuk e meritonte Pjetri këtë. Nuk besoj se do ti kishte shkuar mendja kurrë as për një çast që bustin e tij do ta përuronte pikërisht Gramoz Ruci shefi i fundit i Sigurimit te Shtetit. Hapu dhe’ të futem ! Nuk mund të poshtërohet robi dhe për me keq një personalitet e simbol i persekutimit komunist si Pjeter Arbënori deri në këtë derexhe e për më tepër pas vdekjes. Por siç thonë këta specialistët komuniste: Nuk kemi parë gjë akoma!
Nuk shkova në përurimin e bustit të Pjetrit për të nderuar e respektuar të gjithë viktimat e krimit komunist në Shqipëri, të pushkatuarit, të burgosurit, të internuarit kulakët etj. Nuk shkova se nuk mund të fyeja fëmijët, gratë e pleqtë të vdekur nga uria dhe torturat në kampet e Tepelenës, Krujës, Kamzës etje.
Nuk shkova se nuk mund të shkelja mbi gjakun e mijëra të pushkatuarve me gjyq e pa gjyq ende pa një varr (përfshi edhe familjarët e tij) për shkak se Gramoz Ruci dhe autorët e tjerë të krimeve të komunizmit nuk tregojnë ku i kanë hedhur trupat e tyre.
Nuk shkova për të nderuar e respektuar kujtimin e 4 martirëve të masakrës komuniste të 2 prillit 1991 në Shkodër të vrarë për të mbrojtur demokracinë dhe mandatet e deputetëve të PD-së përfshi edhe atë te Pjeter Arbënorit, nga ministria e brendshme e drejtuar nga organizatori i ceremonisë Gramoz Ruci.
Nuk shkova për të nderuar kujtimin e qindra djemve dhe vajzave të vrarë në kufi dhe kufomave të tyre që tërhiqeshin zvarrë rrugëve të qyteteve kufitare të Shqipërisë në vitin 90-91 kur organizatori i ceremonisë ishte drejtues i Ministrisë së Brendshme.
Nuk shkova për të mos parë nga afër hipokrizinë e drejtuesve të PD-së dhe të tjerëve “antikomunistë” që ju bashkuan kësaj ceremonie kriminale, të cilët janë dy herë të çnderuar. Së pari që nuk i bënë vetë sa ishin në pushtet një bust Pjeter Arbënorit dhe se dyti që morën pjesë në përurimin e bustit që i bënë atij xhelatët fizikë, politikë, juridik e gjenetikë. Turpi e faqja e zezë qofshin për ta! Nuk shkova gjithashtu për të nderuar dhe respektuar babanë, gjyshin dhe gjithë të afrimit e mij antikomuniste martirë të terrorit komunist të atyre që kanë vdekur e të atyre që janë gjallë. Nuk mund tua bëja këtë pabesi!
Nuk shkova për hir të Zotit, pasi mendova e mendoj që ky ishte e është një mëkat që Ai nuk do të mund të ma falte kurrë. Nuk mund ta beja, nuk mund ti prisja në besë njerëzit e mi antikomunistë të përndjekur politikë të komunizmit të gjallëve por sidomos të vdekurve .
Nuk mund t’ia bëja dot as vetes sime!