Çika tregon veprat e mëdha që u ndërtuan me punë skllavëruese të të përndjekurve

Kryetari i shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politik, Nebil Çika i ftuar në studion e Ora News, thotë se qeveria përdor dy standarde për dëmshpërblimet. Sipas tij, shteti shqiptar nuk jep asgjë nga paratë e taksapaguesve për dëmshpërblimet e familjarëve.

Çika: Për 4 të vrarët e 21 janarit, të cilët vet qeveria aktuale i çoi për të djegur Kryeministrinë që të merrte pushtetin, u ka dhënë nga 400 milionë lekë për familje dhe i kanë marrë menjëherë në dorë. Pra shteti përdor dy standarde. Këta njerëz që shteti i mori në shtëpitë e tyre dhe i vrau dhe i pushkatoi, edhe këta familjarët i marrin.

Ka një ide që thuhet se këto lekë do të merren nga taksat dhe s’kemi pse t’ua japim. Po të ishte kështu, do të kishin shumë të drejtë. Por, çfarë ndodh? Këta gënjejnë. Sot shteti shqiptar mbahet nga punët skllavëruese që kanë bërë ish-të burgosurit. Aeroporti i Rinasit nxjerr 100 mln euro në vit. Është ndërtuar me punë skllavëruese. Është me eshtra poshtë. Është ndërtuar me krahë, pa u paguar. Spaçi është dhënë me koncesion. Batra po kështu, Bulqiza po kështu. Uzina e Ballshit, është ndërtuar me punë skllavëruese. Maliqi, Tërbufi, Zadrima, me mijëra apartamente në Tiranë, kompleksi sporti Dinamo janë ndërtuar me punë skllavëruese. Vetëm me lekët e tyre mbahet sot shteti shqiptar. Ne nuk duam nga taksat. Të na japin këto prona dhe t’i administrojmë ne.