Nuk harrojmë ! Sabiha Kasimati :15 shtator 1912 – 26 shkurt 1951

Sabiha Kasimati (Edrene, 15 shtator 1912 – Menik, 26 shkurt 1951) ka qenë biologe, punonjëse shkencore shqiptare e pushkatuar pas ngjarjes së shpërthimit të bombës në ambasadën sovjetike.

Sabihaja u lind më 15 shtator 1912 dhe ishte e bija e dyte e doktorit Abdurrahman Kasimati (1865-1943) nga Libohova dhe të shoqes Zehra Mbreshtani, të vendosur rrethin e Edirnesë që pas shpalljes së kushtetutës më 1908. Pas një viti familja zhvendoset në Shkodër ku i ati shërbeu në vitet 1914 – 1915. Në vitet e Luftës së Parë Botërore, familja u vendos në pronat e veta në Verrie të Thesalisë. Pas shkëmbimeve të popullsive mes Greqisë dhe Turqisë, familja u kthye në Shqipëri duke rrezikuar edhe pronat e veta.

Më 1927, Sabihaja së bashku me familjen e saj u vendosën në Korçë ku familja u rehatua dhe fëmijët vijuan shkollimin, Sabihaja me motrat frekuentuan Liceun Frëng të cilin e mbaroi më 1931 – duke qenë vajza e parë që kreu atë lice. Pas mbarimit të liceut, punoi si mësuese në Normalen Femërore të Korçës, ku dha edukatë morale dhe gjuhë frënge, më 1933 u emërua në Shkollën Amerikane të Kavajës ku jepte biologji. Verën e 1935 iu akordua një bursë shtetërore për në Itali, ku ajo u regjistrua për të studjuar në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos. Kasimati zgjodhi si fushë specializimi ihtiologjinë dhe më 1940 doktoroi me temën “Fauna ittica di acqua dolce d’Albania” (Fauna ihtike në ujërat e ëmbla në Shqipëri). Udhëheqja e Universitetit i ofroi asaj pozitën e asistentit në degën e ihtiologjisë, por propozimin e tyre ajo nuk e pranoi dhe u kthye në atdhe.

Me kthimin në atdhe nisi punë në Institutin Pedagogjik Femëror “Donika Kastrioti”. Për shkaqe shëndetësore vajti të kurohej në sanatoriumin antituberkular në Bolzano në Itali, prej ku kthehet më 1945. Nisi bashkëpunimin me Selaudin Toto, me qëllim të organizimit të Institutit të Shkencave në Tiranë. U emërtua specialiste zoologe, e specializuar në ihtiologji[2].

Procesi dhe vdekja
Më 19 shkurt 1951 ndodhi një shpërthim në Ambasadën e ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë. Nga sulmi nuk kishte asnjë të plagosur, por autoritetet shqiptare të asaj kohe si fajtorë i konsideronin një grup prej 22 intelektualësh të rinj që punonin asokohe në Tiranë, duke përfshirë edhe Sabiha Kasimatin (si e vetmja grua). Pavarësisht nga mungesa e çdo provë të fajit, Sabihaja u arrestua nga Sigurimi më 20 shkurt 1951.

Më 25 shkurt 1951 gjykata i dënoi që të gjithë me vdekje ne nje proces te falsifikur e te jashtligjshem  . Dënimi u ekzekutua natën e 26-27 shkurtit 1951 në afërsi të fshatit Mënik, disa kilometra në perëndim të Tiranës. Trupat u varrosën në një varr të cekët në fushën prapa.

Trashëgimia
Vepra e saj shkencore, punimet në fushën e florës dhe faunës së Shqipërisë u botuan në vitin 1955 nën emrin e shkencëtarit sovjetik Anatoli Poljakowa, si dhe të studiuesve shqiptarë Ndoc Filipi dhe Ndoc Raka. Në 60 vjetorin e vdekjes së saj, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi e nderoi me medaljen Nderi i Kombit.