Vendi drejt përplasjes civile : PD dënon vendimin e qeverisë për dëbimin e Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë nga selia e saj

Partia Demokratike dënon vendimin e paligjshëm të qeverisë për dëbimin e Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë nga selia e saj.

• Edi Rama po sjell para syve të shqiptarëve hijet e të kaluarës dhe po vepron si nostalgjik fanatik, që ka si objektiv vetëm rikthimin e regjimit autokratik.

• Akti i qeverisë është dëshmi se liritë dhe të drejtat e shqiptarëve po treten përditë dhe se vendi po shkon me shpejtësi drejt një përplasjeje civile si në vitin 1991.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE

Partia Demokratike dënon me forcë vendimin e qeverisë për dëbimin e Shoqatës Antikomuniste të Ish-Të Përndjekurve Politikë nga selia e saj.

Ky dëbim, i pabazuar në ligj, është një vendim personal i Edi Ramës dhe merr shkas vetëm prej instinktit pervers të luftës klasore, trashëguar nga babai i tij biologjik dhe ati i vet ideologjik Enver Hoxha.

Me këtë akt, Edi Rama dëshmohet edhe njëherë si armik i lirive të njeriut, shpërfillës i respektit njerëzor, frymëzues i skutave më të egra të krimit politik. Çdo ditë, ai po sjell para syve të shqiptarëve hijet e të kaluarës dhe po vepron si nostalgjik fanatik, që ka si objektiv vetëm rikthimin e regjimit autokratik.

Nuk ka fund egërsia klasore që ai hedh ndaj të përndjekurve politikë:

• Emëron në poste kyçe pinjollë të Byrosë Politike komuniste.
• Promovon hetuesit dhe persekutorët më të egër të regjimit komunist, duke i futur ata edhe në sistemin e ri të drejtësisë.
• Rrënon kullën e Prek Calit, simbol të antikomunizmit.
• Urdhëron t’i këndohet diktatorit.
• Keqpërdor fëmijët të parakalojnë me pankarta me simbolet e komunizmit.
• Ndërpret me ligj të posaçëm dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë dhe haptas.

Kudo e kurdo mundet, Edi Rama shfaqet si një buratin i diktatorit, një kryeministër i yllit me pesë cepa.

Dëbimi nga selia është hapi i radhës i Edi Ramës kundër shtresës së të përndjekurve. Ministrinë e Drejtësisë, si vegël qorre e Edi Ramës, në kundërshtim me kompetencat e saj, po internon edhe njëherë Shoqatën Antikomuniste të Ish-Të Përndjekurve.

Veprimi i qeverisë së Edi Ramës është provokimi më i ndyrë social dhe sulmi i radhës ndaj demokracisë në Shqipëri.

Është dëshmia e radhës se shqiptarëve po u treten përditë liritë dhe të drejtat e tyre dhe se vendi po shkon me shpejtësi drejt një përplasjeje civile si më 1991-n, prej të cilës qeveria e Edi Ramës do të ketë të njëjtin fund si rregjimi i atit të tij ideologjik.