“Kujdes z. Rama! Ne jemi antikomunistë dhe kur detyrohemi të marrim urën e zjarrit në dorë, nuk djegim vetveten.”

Nga Nebil Çika*
Të nderuar Zonja e Zotërinj anëtarë të Këshillit Kombëtar!
Të nderuar deputetë të përndjekur politikë!
Do të mundohem me pak fjalë të paraqes në këtë raport punën tonë 1 vjeçare, përpjekjet arritjet dhe problemet në përmbushje të misionit tonë si Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.
Siç kam premtuar në zgjedhjen time në krye të shoqatës qëllimi kryesor i imi dhe bashkëpunëtorëve të mi drejtuesve në qendër dhe në degë ishte dhe mbetet transformimi nga një shoqatë e njerëzve në nevojë në një organizatë politike dinjitare për mbrojtjen e idealeve, qëllimmirëve dhe interesave të të përndjekurve politike antikomunistë.
Puna jonë është përqendruar në tre aspekte. Politik, historik dhe ligjor.
Në aspektin politik kemi synuar dhe arritur objektiva të rëndësishme të cilat kanë rritur ndikimin e shoqatës në zhvillimet politike në vend. Të bindur se përfaqësimi politik është e vetmja rrugë e jona për të përmbushur misionin ky ka qënë objektivi ynë kryesor.
Zgjedhja ime në krye të Shoqatës përkoi me zgjedhjet politike të qershorit 2017. Në pak ditë arritëm të siguronim brenda partive të djathta, kryesisht PD-së, të cilët janë më afër interesave dhe idealeve tona politike, për një përfaqësim sa më dinjitoz dhe të drejtë të shtresës sonë në Kuvendin e Shqipërisë.
I kërkova zyrtarisht dhe publikisht z. Basha të kishim të paktën 12 deputetë nga shtresa e të përndjekurve politike në zona të sigurta në listën zgjedhore të PD–së gjë që u realizua. Sot ne kemi 12 deputetë gjenetikisht të përndjekur politikë antikomunistë në Kuvendin e Shqipërisë.
Ky grup deputetësh funksionon sot edhe si grupi ynë parlamentar pasi të pakten 11 prej tyre kanë pranuar të jenë përveç përfaqësuesit tanë gjenetikë edhe përfaqësuesit tanë politikë në Kuvend e Shqipërisë.
Ky grup ka bërë përpjekje të konsiderueshme në Kuvend dhe jashtë tij për përfaqësimin tonë politik e elektoral duke e rritur dukshëm këtë përfaqësim.
Së bashku me deputetet tanë kemi organizuar takime me të përndjekurit politikë antikomunistë në disa degë të vendit nga Konispoli në Vermosh takime që kanë ngritur shpresën dhe besimin te njerëzit tanë në masë në gjendje të dëshpëruar nga situata politike ekonomike e sociale që po kalon vendi.
Bashkëpunimi me PD-është ngritur në nivel institucional në nivelet më të larta. Kulmi i këtij bashkëpunimi është përgatitja e projekt-ligjit për dekomunstizimin, ku në grupin e punës merr pjesë PD-ja, shoqata jonë dhe miqtë tanë të Konrad Audeauer, të cilët gjej rastin ti falënderoj posaçërisht.
Projekt-ligji është gati por për shak të bojkotit të Kuvendit nga PD-ja për arsye madhore me interes të përbashkët nuk është çuar ende në Kuvend.
Në dhjetor të vitit të kaluar kam arritur një marrëveshje fisnikësh me z. Basha për përfaqësimin në politikë, në parti, pushtet lokal dhe parlament të të përndjekurve politikë.
I kam kërkuar z. Basha përfaqësim politik, pra kandidimin dhe zgjedhjen e përfaqësuesve tanë në raport të drejtë me mbështetjen politike e elektorale që shtresa jonë i ka dhënë e po i jep për 28 vjet pa kushtëzime PD-së.
Kemi rënë dakord në parim dhe unë shpresoj të arrijmë së shpejti një marrëveshje zyrtare e publike për këtë çështje.
Por kjo kërkon edhe angazhimin tonë politik. Pranda ju bëj thirrje të gjithë të përndjekurve politikë antikomunistë të anëtarësohen e të garojnë për postet drejtuese në PD, në të gjitha nivelet si e vetmja mënyrë për të realizuar synimin tone; përfaqësimin politik.

Qeveria
Për fat të keq raporti ynë me qeverinë dhe mazhorancën trashëgimtare politike, juridike dhe gjenetike e PPSH dhe dikturës komuniste ka qenë dhe është i përkeqësuar.
Kjo qeveri ka manifestuar e po manifeston një qëndrim tërësisht armiqësor ndaj të përndjekurve politike antikomuniste.
Ajo ka bllokuar komepesimin e të burgosurve politikë ndërkohe që ka përjashtuar në mënyrë kriminale e antikushtetuese trashëgimtarët e tyre nga ky kompensim.
Për këtë vit u planifikuan në buxhet rreth 20 milionë USD për dëmshpërblimin e të përndjekurve politike por në shator me rishikimin e projekt-buxhetit kjo shumë u përgjysmua në rreth 10 milionë USD me pretendimin se do t’iu jepet vetëm të gjallëve por edhe kjo nuk ka filluar ende te zbatohet.
Raporti më i keq me qeverinë është ai në aspektin politik e ideologjik. Në shtator të vitit të kaluar qeveria dhe mazhoranca ndërmorën një nga aktet me regresive politike që nga viti 1992 e këtej. Zgjodhi në krye të Kuvendit të Shqipërisë nr 2 të shtetit shqiptar Grmoz Ruçin, ish sekretar i parë i PPSH-së Tepelenë dhe ministri i fundit i brendshëm i diktatrës komuniste, përgjegjës për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
Ne ishim i vetmi organizëm politik e shoqëror që reaguam seriozisht ndaj zgjedhjes së tij që është de facto një rikthim në komunizëm. I dërguam një promemorie partive politike, përfaqësive diplomatike ndërkombëtare dhe opinionit publik shqiptar ku kërkuam që Ruçin ta çonin në Hagë, jo në krye të Kuvendit.
Organizuam një protestë të forte para Kuvendit në ditën dhe momentin e zgjedhjes së tij por fatkeqësisht nuk arritëm do ta ndalnim.
Nga kjo kohë e mbrapa Kuvendi i Shqipërisë nuk ka marrë asnjë nismë ligjore për të përndjekurit politike ndërkohë që qeveria ka ndërmarrë një revansh politik në rikthimin e komunizmit në aspektin politik historik e juridik.
Ka me mijëra raste kur kjo qeveri e përbërë nga autorë të krimeve komuniste apo bij të tyre ka demonstruar armiqësinë e saj ndaj të përndjekurve politikë antikomunistë por më flagranti, më i qëllimti më i drejtpërdrejti është urdhëri i Ministrisë së Drejtësisë për dëbimin nga selia qëndrore të shoqatës.
Një urdhër tipik komunist shum i i ngjashëm me urdhrat e dëbim-internimeve në kohën e dikturës de jure.
Ne jemi të sigurt se ky është një akt represiv e shantazh i drejtpërdrejtë politik i qeverisë për shkak të veprimtarisë e qëndrimeve tona antikomuniste. Por ne jemi të vendosur të mbrojmë me çdo mjet në dispozicion funksionimin e punës në përmbushje të misionit tonë antikomunist.
Prandaj i them sot Ramës, Gjonit, Ruçit dhe kush qëndron mbas sulmeve e shantazheve politike ndaj nesh të heqin dorë nga praktikat e etërve të tyre gjenetikë politikë e juridike.
Ne nuk shantazohemi, nuk trembemi e nuk heqim dorë nga misioni ynë do ti përgjigjemi flakë për flak, ne nuk i kemi frikë shantazhuesët komunistë.
Shqipëria është ende në luftë të ftohtë civile dhe me këto veprime ju po tentoni ta ndizni atë.
Por kujdes z. Rama! Ne nuk jemi ajo pjesë e të përndjekurve politike që ti njeh dhe e manipulon apo e përdor politikisht.
Ne jemi antikomunistë dhe kur detyrohemi të marrim urën e zjarrit në dorë, nuk djegim vetveten.
Aktiviteti ynë politik është shtrirë edhe në nivel ndërkombëtar. Kemi riaktivizuar lidhjet me shoqatat si motra të Evropës ish komuniste me të cilat kemi një komunikim intensiv.
Në muajin qershor të këtij viti një delegacion i përbërë nga unë dhe nënkryetari z. Artan Murrizi morëm pjesë në Kongresin e INTERASSO, ku prezantuam në mënyre serioze situatën e të përndjekurve politikë antikomunistë në Shqipëri.
Raportimi ynë mori vlerësime maksimale nga kongresi i cili miratoi edhe një rezolutë të veçantë për Shqipërinë të propozuar nga ne e cila u botua në shtypin rumun dhe ju shpërnda të gjitha institucioneve dhe qeverive të vendeve anëtarë të BE dhe të INTERASSO.

Aspekti Ligjor
Në aspektin ligjor ne jemi angazhuar që në të gjitha nismat ligjore të Kuvendit të lidhura me të përndjekurit politikë interesat tona të gjejnë mbështetje sa më të madhe por fatkeqësisht kemi arritur pak rezultate për shak të qëndrimit armiqësor që mazhoranca komuniste ka mbajtur e mban ndaj nesh.
Akti më i rëndësishëm në aspektin juridik është pa dyshim depozitimi në Prokurorinë e Krimeve të Renda në 26 shkurt të kallëzimit Penal për Krime Kundër Njerëzimit dhe Gjenocid të autorëve të Masakrës së Bombës në Legatën Sovjetike. Kallëzim-Hetimi i cili është bllokuar nga Prokurori në mënyrë antikushtetuese duke mos na dhënë asnjë arsye me gjithë këmbënguljen tonë të vazhdueshme. Ne besojmë se edhe “dëbimi” nga zyra ka lidhje të drejtpërdrejtë pikërisht me këtë kallëzim.
Mund të përmendim si një hap pozitiv ndryshimin në ligj që u njeh të burgosurve politikë që kanë punuar në miniera të drejtën e përfitimit të pensionit si minator.
Ne kërkuam që në këtë ligj të përfshiheshin edhe ushtarët e brigadave të punës por shumica komuniste nuk e mori parasysh. Kemi kundërshtuar publikisht dhe zyrtarisht heqjen e kompensimit të trashëgimtareve të të burgosurve e pushkatuarve politikë si cënimi i një të drejte kushtetuese.
Probleme të mëdha në këtë aspekt mbeten rreth 8 mijë dosje të statusit të të përndjekurve politike për arsye të aplikimit jashtë afatit, përjashtimi nga dëmshpërblimi i të pushkatuarve të akuzuar për “terrorizëm” sipas ligjeve komuniste, kthimi e kompensimi i pronave të sekuestruara me vendimet politike gjyqësore, dhënia e statusit të të përndjekurit politik të të sëmurëve mendore për shkak të torturave në hetuesi, rinjohja e statusit të përcaktuar nga komisioni tre palësh për personat e pushkatuar pa gjyqe etj.
Do të konsideroja zhvillim pozitiv përfshirjen në kushtet e anëtarësimit të Shqipërisë në BE gjetjen e eshtrave të të zhdukurve një kusht që erdhi për herë të parë edhe me kembënguljen tonë në kontaktet me partnerët ndërkombëtarë.

Aspekti Historik
Në aspektin historik apo të kujtesës kemi arritur më shumë. Kemi përkujtuar e nderuar ngjarje e martirë në të gjithë vendin, ndërkohë që shumë nga dekorimet e tyre janë propozuar prej shoqatës sonë.
Mendoj se arritja e madhe është shpallja muze e Kampit të shfarosjes në Tepelenë një akt që pati kundërshtimin e fortë të komunistëve në të gjitha nivelet e politikës dhe pushtetit.
Ndërtuam vetëm me 1milonë leke një kompleks memorial me 33 varre në Majkosh të Tepelenës kostoja e të cilit u përballua kryesisht me punë vullnetare falë përkushtimit të degës së Tepelenës dhe kryetarit të saj Kastriot Ajdini të cilin dua ta përgëzoj.
Kemi ndërtuar memorialë kushtuar qëndresës antikomuniste në Përmet, Zhapokikë, Lekbibaj, Divjakë, Ura Vajgurore etj., të gjitha me kontribute vullnetare.
Riorganizimi i shoqatës ka qënë një tjetër objektiv. Kemi organizuar takime me të përndjekur në shumicat e degëve ndërkohë që kemi mbështetur çdo aktivitet të organizuar nga to.
Dua të vlerësoj angazhimin dhe aktivitetin e degëve Përmet, Shkodër, Mat,Tepelenë. Kurbin , Konispol, Divjakë, Pogradec etj., për angazhimin dhe aktivitetet e tyre.
Ndërkohë që një pjesë e mirë e degëve janë in-aktive dhe kanë nevojë për riorganizim të cilin shpresoj ta nisim shumë shpejtë.
Për shkak të qëndrimit armiqësor dhe represionit politik të qeverisë kërkohet që degët të jenë aktive të drejtuara nga njerëz të qartë politikisht por edhe të aftë fizikisht e intelektualisht për drejtimin e tyre.
Kam vënë re se një pjese e tyre për arsye objektive nuk janë në lartësinë e detyrës prandaj u bëj thirrje që në pamundësi për të kryer misionin, e marrë përsipër të tërhiqen për tu lënë vendin më të rinjve e më të aftëve për ta kryer këtë mision.
Burimet financiare kanë qënë dhe janë problemi kryesor. 1% i fondeve të ndërmarrjeve me kapital shtetërorqë na takon me ligj na është ndërprerë nga qeveria duke na bllokuar kështu burimin kryesor të financimit.
Në kohën kur unë mora kryesimin e shoqatës llogaria jonë rrjedhëse në bankë ishte – 1.3 milionë lekë të vjetra borxh që e mbyllëm me ndihmën e dashamirësve në mënyrë private. Me ndërmjetësimin e një prej mbështesve kryesor të shoqatës sonë, kreun e KLSH z. Bujar Leskaj, siguruam 1 milionë lekë të cilat mbuluan vetëm një pjesë të vogël të ndërtimit të kompleksit memorial në Majkosh.
Rindërtuam dhe pajisëm pjesërisht me mjetet e nevojshme të punës selinë kryesore të Shoqatës me kontributet e disa prej drejtuesve dhe disa donatorëve të përndjekur politikë me një vlerë prej rreth 3 milionë lek të reja. Kemi ndërtuarë uebin tonë në internet antikomunstet.al të cilin vazhdojmë ta mbajmë në funksion me shpenzimet tona.
Pjesëmarrja në të gjitha aktivitet është siguruar kryesisht me shpenzime personale të dy apo tre drejtuesve të shoqatës. Aktualisht jemi në gjendje kritike dhe kemi lëshuar publikisht edhe sinjalin SOS dhe fatkeqësisht thirrja jonë për ndihmë drejtuar biznesmenëve, kryesisht të përndjekur politikë dhe burimeve te tjera nuk ka funksionuar.
Mua me vjen keq që njerëz të cilët janë bërë të pasur duke shfrytëzuar statusin e të përndjekurve politikë nuk na ndihmojnë apo edhe më keq ndihmojnë persekutorët tanë.
Të nderuar zonja e zotërinj. Ky ishte shkurt një raport i imi për punën një vjeçare të shoqatës.
Duke qënë i hapur për pyetje e sqarime ju falënderoj që patët durimin e më dëgjuat.
Zoti i bekoftë të Përndjekurit Politike Antikomunistë!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!

*Fjala në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë