“SHUHET” LEGJENDA E KELMENDIT, MARASH MRNAÇAJ

NGA DALIP GRECA/ DIELLI

Sot, e Enjte, 10 tetor 2019, në orët e paradites, në White Plaince Hospital, pushoi së rrahuri zemra e Legjendës së Kelmendit, atdhetarit natikomunist Marash Mrnaçaj. Në prani të Familjes së tij të dashur, e cila i qëndroi pranë gjatë të gjithë kohës së lëngimit, ai mbylli sytë dhe kaloi në amshim. Iu prehtë shpirti në Paqë, njeriut qëndresatr, që u kthye në Legjendë, duke u arratisë nga Shqipëria Komuniste së bashku me familjen, kafshët e ngarkesës dhe bagëtitë.Njoftimin për ndarjen nga jeta të Marashit, Diellit ia dha nipi i tij, anëtar i këshillit të Vatrës, Mark Mrnaçaj. Në pritje të informacioneve për shërbimet funerale dhe ceremoninë e varrimit, ju përcjellim historinë e tij përmes dossierit-Intervistë, publikuar më 2016-të, me rastin e 90 Vjetorit të Lindjes. Pusho në Paqë Marash Mrnaçaj, shpirt i vuajtur dhe qëndrestar i paepur!
***
…Kisha kohë që mendoja për një bisedë me Marashin, për të hyrë në kujtesën e tij dhe për të rrugëtuar në historinë e familjes, simbol i demokracisë dhe e antikomunizmit, e përmendur deri edhe në Shtëpinë e Bardhë, e deri tek presidentët e Amerikës(kur presidenti Ford firmosi dhënien e shtetësisë amerikane nënës Mrikë në moshën 111 vjeçare, apo kur në Kapitol u ngrit Flamuri shqiptar në nderim të Heroit shqiptar të Demokracisë, Nik Marash Mrnaçaj)… Kur, më mirë se në një ditë të shënuar, sic është Dita e lindjes( Kur përjetonte 90 vjetorin e lindjes), më jepej rasti për ta zvilluar bisedën?! Së bashku me nipin e Marashit, Mark Mrnaçaj, të enjten me 22 dhjetor 2016, në mesditë trokita në shtëpinë e tij në Yonkers. Pa u ulur mirë, Mrija, zonja e shtëpisë e mbushi tavolinën plot. Sa herë e kam takuar Mrijen, kam konstatuar fisnikëri e shpirtmirësi në fytyrën e saj, në sjelljen e saj, në bujarinë tipike kelmendase, por mjafton të hysh në botën shpirtërore të saj dhe do të zbulosh,se sa dhimbje dhe tragjedi, të shkaktuar nga diktatura komuniste mbart shpirti i malësores fisnike: Babën e saj, Dedë Bajraktarin, komunistët e kapën dhe tek lëngonte nga plagët e plumbave e kanë futë në shtëpi dhe e kanë djegë të gjallë, ndërsa kushërinj të saj, i kanë masakruar; njërit prej tyre,i kanë torturuar mizorisht, i kanë nxjerrë sytë, dhe e kanë mbuluar me gurë….Plaga e fundit e Mrijes, që ende rrjedh dhimbje, është Nika, që tek i jepte që nga Amerika goditjen e fundit diktaturës shqiptare, që i kishte shkaktuar aq plagë, Kelmendit dhe familjes Mrnaçaj, humbi jetën në mënyrë misterioze, me një goditja nga pas prej një traku, tek kthehej nga demonstrata antikomuniste, ku kishte shkuar me 20 shokë nga Nju Jorku në Detroit….Mrija ende ruan imazhin e buzqeshjeve dhe puthjeve, që Nika i jepte në ballë, kur shkonte apo kthehej nga puna.Edhe atë ditë të fundit… Sa i ishin lutë që të mos shkonte në atë mot të ashpër dimëror në demonstratë në Detroit! Ah, pengu i nënës dhe i babës! Shpirti dhemb….
…Marashi, sikur nuk do t’ia dijë për 90 vitet e jetës, qëndron si lis, pa u përkulur aspak nga pesha e viteve.Memorien e ka të kthjellët. I ulur përballë Flamurit kombëtar, ai nis të më tregojë për jetën e tij 90 vjeçare. Në ballë të dhomës së pritjes, përbri Flamuri Kombëtar, është vendosë një polifoto me 5 portretet e familjarëve: Në qendër është baba i tij Nue, i rrethuar nga djemtë: Nikolla, që vdiq nga vuajtjet e diktaturës, 20 vjet burgim dhe po aq internim,vdiq pak ditë pasi doli nga burgimi i dytë, Rroku, që ka ndërruar jetë në SHBA dhe më tej, të gjallët: Marashi dhe Pjetri….
Trokas në memorien e këtij burri të moçëm, që vjen nga fisi i qëndresës antikomuniste kelmendase dhe kërkoj gjurmët e jetës së tij…
Nga fëmijëria e largët ai sjell ndërmend rrëfimet e të atit për qëndresën e Kelmendit ndaj sllavëve, që e kallën në flakë dhe e mbytën në gjak Kelmendin, por që kurrë nuk e pushtuan, po ashtu dhe turqit, nuk arritën ta bënin për vete Kelmendin, as italianët e gjermanët, ndërsa nga rinia e vet sjell imazhet e luftës dhe qëndresës kundër komunistëve, që deshën ta nënshtronin me dhunë Kelmendin. Në sytë e tij u zhvillua lufta vëllavrasëse e Kelmendit, Janar 1945. Ishte i ri 18 vjeçar atë kohë. Memoria e tij është e mbushur me pamje makabre: përgjime,kurthe,arrestime, vrasje, pushkatime, dëbime….
– “Lufta e Kelmendit” e ndau përgjithmonë Kelmendin nga komunistët, thotë Marashi…
Historianët ende diskutojnë , debatojnë dhe kundërshtojnë njëri-tjetrin nëse ishte apo nuk ishte Kryengritje ajo përballje e përgjakshme e Kelmendasve me diktaturën që po instalohej dhunshëm. Ç’donin forcat e ndjekjes në Kelmend? Nga kush do ta çlironin kurorën e trimërisë shqiptare? Gjermanët kishin ikur me kohë.Por ç’mund të ishte tjetër ajo luftë, ku pati 83 të vrarë (pushkatuar), 69 të plagosur, më shumë se 30 shtëpi të djegura, dhjetëra kelmendas të arrestuar, dhjetëra të burgosur,qindra të dëbuar në kampet e internimit(kampet e vdekjes)? Që nga paslufta e Kelmendit, Kelmendasit, nisën kalvarin e vuajtjeve nëpër burgjet e diktaturës dhe kampet e internimit. Komunizmi u përpoq t’ua mposhtëte krenarinë e maleve, por ata nuk u nënshtruan.Tipik është Nikolla, vëllai i Marashit…
Pikërisht pas luftës së Kelmendit e morën ushtar Marash Mrnaçajn dhe vëllanë Rrokun. 200 djem të Kelemndit i ngritën ushtarë menjëherë pas asaj lufte. Gjatë kohës së shërbimit ushtarak, plot 3 vjet,(5 vjet e bëri ushtrinë vëllai i tij,Rroku), Marashi kujton përplasjet e forcave të ndjekjes me forcat nacionaliste. Sjell ndërmend qëndresën e Muharrem Bajraktarit dhe ndjekësve të tij, rrëfen për vrasjen e Destan Rexhepit e trimave të tjerë nacionalistë.Ishte dhe ai ushtar në disa nga përndjekejt e Bajraktarit trim.
– Ishte trim me eksperiencë dhe i zgjuar Muharrem Bajraktari. Dinte të ruhej, tregon Marashi dhe kujton një moment, kur forcat e ndjekjes, kanë kapë të plagosur djalin e Bajraktarit,që e transportuan deri në Kukës të gjallë. Aty ka ndërruar jetë.
Shkuan pas gjurmëve drejt e tek vendqëndrimi i Muharremit (duket se u dekonspirua nga një zjarr i ndezur ditën për të gatuar). Një spiun kishte raportuar. Komandanti partizan urdhëronte ushtarët: Nëse ndokush kthehet mbrapsht kur ta rrethojmë, kam për ta vrarë unë me këtë kobure, dhe kishte çuar dorën në brez. Po ç’ndodhi? Muharremi nuk qëndronte në një vend me luftëtarët e tij, por pak i larguar, përgjonte, madje edhe kur flinin luftëtarët e tij, ai qëndronte zgjuar për t’iu ruajtur ndjekjësve. Dhe përdorte mjeshtrisht bombat për të çarë rrethimet. Kështu ndodhi dhe atë ditë. Plumbat e Muharrem Bajraktarit palosën për tokë të parin komandantin partizan….Thoshin, se Muharrem Bajraktari vriste vetëm oficerë nga forcat e ndjekjes, jo ushtarë… Kur kisha kaluar në perëndim, tregon Marashi, shkova dhe e takova në Bruksel Muharremin dhe biseduam gjatë. Ia tregova se si e kisha përjetuar kohën kur ai përndiqej maleve të Shqipërisë.Gjatë bisedës sollëm hollësi nga ato ngjarje. Në fund, kujton Marashi, i thashë:- A je gati të kthehemi tash e të shkojmë e të luftojmë komunistat? Unë bëhem ushtar i juaj…Ai ma ktheu: -Nuk është nevoja, bir, se ata po vrasin njëri-tjetrin. Nuk e kanë të gjatë….

ARRESTIMI I VËLLAIT, NIKOLLËS

Tregon Marashi: Në vitin 1952 arrestuan vëllanë, Nikollën, babanë e Markut. Ngjarja ndodhi kështu:Ishte i sëmurë Nikolla, qëndronte i shtrirë në shtresa. Vjen komandanti i Postës së Tamarës me pesë ushtarë.E presim. Kishte ardhë dhe herë tjetër.I uruam mirëseardhjen si zotë shtëpie. Ngrihet dhe Nikolla nga që ishte shtrirë nga sëmundja dhe i jep dorën.Ai menjëherë ia kthen:
– Kam një fjalë me ty, Nikollë!
Çohet Nikolla dhe pa u veshur, me këmishë, i shkon pas.Minutat mezi kalojnë. Ne po prisnim në ankth, pse u vonuan? Kur vjen motra e dytë nga që kishte shkuar për të mbushë ujë, dhe e zbehtë në fytyrë, duke iu marrë fryma, na pyet:- Çfarë ka bërë Nikolla, që e kanë lidhë?
– Ku?,- e pyesim ne të shqetësuar….
– E kanë lidhë tek shkambi…thotë ajo.
Marashi kujton detaje nga ngjarja: Ishte një strehëz shkëmbi, poshtë shtëpisë, atje e kishin lidhë. Pas pak vjen tek ne, në shtëpi, komandanti me dy ushtarë, dy të tjerët i kishte lënë për të ruajtë Nikollën. Na jep urdhër të gjithëve që të dilnim jashtë sepse kishte urdhër të kontrollonte shtëpinë. Mori veç nënën Mrikë dhe nisi kontrollin. Gjeti vetëm një armë gjahu,(që Marashi e kishte me leje).E morën armën. Gjetën 2-3 libra fetare në gjuhën italiane, që i mbante Nikolla dhe ato i morën, pa e ditur se ç’ishin. Shkuam atje ku ishte Nikolla, por çfarë të shihnim: Gati kishte ngrirë prej të ftohtit. Edhe teshat që i çuam nuk po i vishte dot vetë, e ndihmuam. U ndamë me lot ndër sy. E morën duarlidhur dhe shkuan…
…Po vazhdonte reprezalja komuniste. Bashkë me Nikollën kishin arrestuar dhe 12 të tjerë atë natë. Kishin arrestuar edhe një grua me katër fëmijë. Të nesërmen i pamë kur po i largonin varg.Ajo grua me katër vocrrakë ta këpuste shpirtin. Ç’faj kishin ata fëmijë, po nëna e tyre? Kishin ardhë më shumë se 50 forca policore me kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, sadistin Ilmi Seiti.
– Po përse e arrestuan Nikollë Mrnaçajn, çfarë kishte bërë?- e pyes Marashin.
– Kurrgja. U akuzua se kishte bashkëpunuar me fashizmin. Si shumë të tjerë ,në kohën e pushtimit Italian, Nikollën e kishin ngritë ushtar në vitin 1939(njësoj siç ngritën komunistët Marashin dhe Rrokun më 1945-46). Më pas, Nikollën, e kishin angazhuar me Gardën Italiane së bashku me shumë shqiptarë të tjerë. Më pas e kanë çuar në Torino. Pushtimi gjerman bllokoi rrugët e kthimit dhe ai mbeti rrugëve të Italisë. Kur u hapën rrugët, u kthye si shumë të tjerë në Selcën e tij, ku pat lindë, dhe kjo ishte e gjithë veprimtaria”fashiste” e Nikollës, që as vrau e as preu kënd, por regjimit komunist i duhej armiku për të terrorizuar Kelemendin. E dënuan 15 vjet Nikollën, bëri 10 vjet. E torturuan më shumë se 6 muaj në hetuesi.Hetuesia kishte qenë tepër e rëndë. I kërkonin të pranonte faje që nuk i kishte kryer. I kishin shkulur thonjët.Gishtërinjët i ishin shtremëbruar ,përthyer nga torturat, që prodhonin hetuesit sipas shkollës bolshevike. Burgimi ishte i rëndë, punonin si skllevër, e torturoheshin gjatë punës. I kaloi vitet e burgut në kampet-burgje të Vlashukut, Semanit, Rinasit, Lushnjës, Urës Vajgurore etj.

“KURTHI” I PUSHTETIT DHE ARRATISJA E MRNAÇAJVE

Ndërkohë që po afrohej lirimi i Nikollës,i kishte mbetë 1 muaj e gjysëm, që të plotësonte dënimin, familja merr sinjale nga miqtë e vet, që ishin afër pushtetit, se po përgatitej kurthi i arrestimeve të reja për burrat e asaj shtëpije. Sinjali u dha hapur kur në një mbledhje rinie në Tamarë,e nxjerrin jasht vëllanë e Marashit, Pjetrin. Në atë mbledhje merrte pjesë edhe Kryetari i degës së Brendshme të Shkodrës Ilmi Seiti. I thonë Pjetrit:- Dil jashtë,ti Pjetër, por mos shko në shtëpi para se të dalin shokët.
Një shok i Pjetrit, kur del nga mbledhja, i thotë:- kujdes, duhet të ikësh.
Kumti është marrë. Ata kanë diskutuar për Mrnaçajt gjatë mbledhjes.Furtuna po afronte.
Pas kësaj vjen një mik tjetër i familjes,që kishte marrë pjesë në mbledhje dhe i paralajmëron:Kujdes, jeni në shenjë!
Kujton Marashi: Në prag të festës së 29 Nëntorit që bënin komunsitët, na thirrën ata të Këshillit dhe na kërkuan që t’u jepnim kontribute për festën e çlirimit. Baba më paralajmëroi që të mos kundërshtonim, por të jepnim gjithçka,që ata do të kërkonin. Kërkuan dy dhi me nga mbi 25 kg mish, 5 kg djathë, ushqime të tjera, raki etj.Ua dhamë të gjitha.
Rrëfimi i Marashit është drithërues: Pas shumë sinjalesh që na erdhën, dhe vetë po e shihnim, se po na shtërngohej konopi. Çfarë të bënim? Problem ishin prindërit e moshuar, babai Nua ishte gati 90 vjeç, nëna pak më e re, por e plakur dhe ajo…. A do të mundnin ata ta përballonin rrugëtimin e vështirë nëpër male të thepisun në mot të ashpër dimëror? Pjetri më tha me vendosmëri: Gjallë a vdekë, unë do të iki! Ma mirë i vdekun se në burg!
Bisedonim vëlla me vlla, kujton Marashi: Ç’vendim të merrim? Vëlla Rroku propozoi që të qëndronim, le të arrestoheshim ne, burgu për burra është, por shpëtonin pleqtë. Po kush na siguronte që dhe ata nuk do t’i syrgjynosnin në ndonjë kamp internimi në atë moshë? Aty nuk mund të qëndrohej sepse dera e burgut ishte hapë për të gjithë. Si t’ia thonim babës ikjen? -Unë e pata të vështirë, thotë Marashi.E mori përsipër Pjetri t’ia thoshte. E thirrëm babën dhe Pjetri ia tha copë: Babë, kemi dy rrugë; ose të presim të na çojnë tek Nikolla në burg, ose të ikim, të arratisemi.
Baba u mendua dhe na tha: Ikim, në mundshim me kalue ,mirë. Edhe nëse më gjenë gjë,mua plakun, më shtini rrëzë ndonjë gardhi matanë kufinit, dhe e keni kryer detyrën…Këtu nuk rrihet ma…
E poqëm mendimin dhe ndërtuam planin e arratisjes. E shoqja e Nikollës, Dranja me të bijën, Diellën, nuk u ndodhën në Selcë, kishin shkuar në Vermosh, tek familja e vëllait të saj. Në ato kushte nuk kishte kohë për ti marrë me vete, nga që vendimi u mor aty për aty.Pasatj, duhej folë dhe me Nikollën.Në mëngjes baba dhe vëllau nxorën bagëtitë në kullotë dhe i afruan sa më pranë pikave të lejushme të kufirit. Ushtarët ruanin dhe vështronin me dylbi gjatë të gjithë kohës duke kontrolluar lëvizjet e njerëzve dhe të bagëtive. Në mbrëmje, kur ra errësina, vëllau la babën afër kufirit me gjysmat e bagëtive dhe gjysmat i ktheu në shtëpi. Ishte alibia për ikje.E kishim menduar mire lojën: Ne dinim me saktësi kohën dhe vendin ku ndërroheshin rojet. Ndërrimi i shërbimit bëhej pranë burimit, ku mbushnim ujë. Pikërisht në këtë moment bëhemi gati me gra e fëmijë dhe marrim rrugën nëpër natë. Kishim të fshehura dhe dy pushkë. Një i ishte lënë babës tek kullota me delet, tjetrën, e mora unë, tregon Marashi. Ishte 21 Dhjetor 1959….
Po si mundët të largoheshit?, e nxis rrëfimin e bashkëbiseduesit.
-Zoti e di se si shpëtuam…dhe Marashi e sjell në kujtesë atë udhëtim që normalisht, po ta bëje ditën, nuk ishte më shumë se 1 orë larg, por atyre u kushtoi jo pak, por 22 orë…
Marashi tregon: Dolëm nëpër natë dhe me kujdes, pa u ndjerë, u kaluam pas shpine rojeve, që po ndërroheshin tek burimi. Pasi u bashkuam me babën e morëm bagëtinë përpara, ecnim ngadalë. Ishte frikë e madhe sepse kishim edhe dy fëmijë të vegjël, njërin 3 vjeç dhe tjetrin 9 muajësh. Po sikur ata të qanin? Gjithçka përfundonte aty…Ishte terr i thellë. Ecja nëpër pyll u vështirësua shumë. U hymë në hak edhe mushkave të ngarkuara, ato pengoheshin nga degët e pemëve. Asgjë nuk shihej para këmbëve. Hapat hidheshin kuturu. Vdekja përgjonte në çdo hap. Rrëzoheshim, ngriheshim me mundim dhe vazhdonim. Qëndruam pak se menduam, ndoshta do të na ndihmonte hëna që duhej të lindëte në ato çaste, por për fatin tonë të keq, terri u shtua, ia nisi shiu. Ecja u vështirësua shumë.
Marashi, kujton se kishte një elektrik të vogël, me të cilin ndriçonte para këmbëve që të vazhdonin mundimshëm ecjen. Pas shiut nisi bora.Keq e më keq. Dukej se po përjetonim një tmerr ferri. Fëmijët kishin ngrirë, duart u ishin ënjtur. Nisën të qanin. Diku, gjatë ditës së nesërme, rrëzë një shkëmbi,u përpoqëm të ndezim zjarrin, nga që fëmijët nuk pushonin së qari, por ishte e vështirë, lagështia, bora pengonin. Na ka parë në ato momente një treshian dhe na është ofruar. Duke zbërthyer fishekët, u morëm barutin dhe e ndezëm zjarrmin. Treshiani, që u përvëlua nga baruti, na tha se duhej të lëviznim sepse ushtarët shqiptar vinin deri aty për kontroll. Në ato çaste na doli dhe një problem me bagëtinë, që na u kthyen mbrapa, hynë në pjesën shqiptare. Shkoi treshiani dhe i ktheu mbrapsht. Pastaj erdhi dhe na mori e na çoi në shtëpinë e vet në Bekaj të Trieshit. Morëm frymë të lehtësuar. Ishim të lagur deri në kockë. Na veshën me rrobat e tyre, edhe pse na rrinin të mëdhaja, nga që ata ishin trupmëdhenj.Na ushqyen. Pasi e kishim marrë disi veten, mikpritësi njoftoi policinë malazeze. Na shoqëruan gati 20 trieshianë për në zyrat e policisë. Fëmijët vazhdonin e qanin nga që trupi u ishte ënjtur e fytyrat u ishin bërë plagë. Bagëtinë, s’mund ta merrnim me vete, ia lamë atij që na kishte ndihmuar. Na çuan në Titograd, ku na mori në pyetje UDB-ja. Çdo i rritur i qëndronte më vete në një dhomë, ku ballafaqoheshin përgjigjet e intervistave që na bënin. Pyetjet vazhduan për dy javë.
UDB-a dinte gjithçka për ne, tregon Marashi, dhe shton; madje më provokuan edhe për një ngjarje që kishte ndodhë 6 muaj para arratisjes.
– Çfarë mbanë mend se të ka ndodhë 6 muaj më parë?… Kishin ndodhë shumë ngjarje, ç’tu thosha më parë? Ata më orientuan. U kujtova. Ja ç ‘kishte ngjarë: Marashi me vëllanë kanë zbritë në tregun e Shkodrës me shitë disa dele,që të blenin grurë për bukë. Dikur kanë ardhë inspektorët e shtetit dhe ua kanë marrë me forcë bagëtinë,siç kanë sekuestrua dhe mallra të tjerë, edhe pse i kishin shlyer detyrimet e shtetit. Pas ankesës ua kishin kthyer sërish, por pazari nuk shkoi mirë atë ditë. Vetëm dikush iu dha një mundësi këmbimi të deleve me grurë, por pazari iu duk shumë i ulët. Më kot pritën deri në darkë. Kur po errej, menduan që të gjenin personin që u kishte dhënë pazarin e vetëm.Nuk mund të ktheheshin pa grurë. Me të pyetur e gjetën shtëpinë e personit, ishte vrakaçor. Shkuan në Vrakë, por kur e panë grurin që nga lagështia kishte marrë ngjyrën e gjelbërt, i thonë të zotit se ai grurë nuk mund të hahej, ishte i mykur. Unë këtë grurë përdor, u tha ai, lajeni dhe thajeni. S’kishin rrugë tjetër, pranuan. Atë natë bujtën tek vrakaçori. Pikërisht aty u zhvillua biseda për të cilën po pyeste intervistusi i UDB-së. E ka pyetë Marashin i zoti i shtëpisë:- Nga je, or mik?
-Nga Selca,- është përgjigjë Marashi.
-Sa larg e ke kufirin?
– Një orë,- i është përgjigj Marashi.
– Dhe ti vazhdon të rrish aty? Të isha si ti, do të ikja sa më parë, qoftë duke falë dhe dy fëmijët e mi…
– Ka hyrë dhe një tjetër në bisedë, unë do t’i falja të katër fëmijët e mi, vetëm të ikja….
Pikërisht këtë ngjarje e kishin verifikuar zyrtarët e UDB-së dhe e pyetën, e ripyetën Marashin, fill e për pe’ se si u zhvillua biseda…Pastaj kanë qeshë me të madhe, si si? Të katër fëmijët do t’i jepnin për të ikë nga ai ferr?…
Pas formaliteteve Mrnaçajt i lanë të qetë. I vendosën në Titogard. Marashi dhe vëllezërit ishin të zotë të punës. Punonin fort dhe fitonin. Digjnin gëlqere edhe pse ishte me rrezik për shëndetin, veçanërisht për mushkëritë, por s’kishte rrugë tjetër. U jepnin të zotërve të fshatit, ku merrnin lëndën, 1/3 e fitimit, por mbetej edhe për ta.Shtatë vjet qëndroi Marashi aty.Ndërtoi dhe shtëpi, sa ia patën zili vendasit, që i thoshin njëri-tjetrit: Si more, ky shqiptari i Kelmendit, tash erdhi dhe tash e ndërtoi shtëpinë?! Dhe shih sa të mirë!…
Në vitin 1966 u largua vëllau,Pjetri për në Itali.Pas një viti shkoi edhe Marashi me familjen. Në shtëpinë në Titograd la vëllanë Rrokun me dy pleqtë. Më pas baba Nue ndërroi jetë në Titograd dhe u varros në varrezat e Tuzit. Më 1967 Marashi me familjen mbërritën në Nju Njork. Deri në vitin 1978 jetuan në Bronx, më pas blenë shtëpinë në Yonkers, shtëpi që e kanë ende. Punoi në një fabrikë që prodhonte rezistenca dhe mjete ngrohëse. Më pas ka hyrë si sikjuriti në një Bankë, ku punoi 20 vjet. Sot, kanë ndërtesa, që i japin me qera dhe ndjehet i kënaqur me jetën në 90 vjetorin e lindjes, teksa shtëpinë e ka plot me 14 nipër e mbesa, vetëm nga fëmijët e tij.

HISTORIA E NËNË MRIKËS DHE BURGOSJA E DYTË E NIKOLLËS

Marashi vijon rrëfimin: Pasi baba vdiq dhe u varros në Tuz, erdhi në Amerikë dhe vëllau Rrok me nënën Mrikë. Nëna kërkoi strehim politik. Shkoi djali tek avokati dhe u këshillua. Kur avokati pa datën dhe vitin e lindjes, tha se ky ishte rast i veçantë në të gjithë Amerikën, një 111 vjeçare kërkonte shtetësinë amerikane! Lajmi u përhap shpejt, gruaja më e moshuar, që kishte zbritë në Nju Jork, kërkonte të bëhej shtetase amerikane! Ishte viti 1974 kur ajo mbërriti në Nju Jork. Lajmi mori dhenë nëpër gazeta e Televizione, kur ajo brenda një kohe të shkurtër mori shtetësinë amerikane. Deklarta e nënës Mrikë: “dua të jetoj dhe të vdes e lirë në tokën e lirë amerikane”, kishte bërë xhiron e lajmeve. Shtetësia e saj u firmos nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gerald Ford brenda në një kohe fare të shkurtër, duke e trajtuar si rast të veçantë. Ndërkohë që lajmi i 111 vjeçares bëri xhiron në mediat amerikane, Misioni Shqiptar në Nju Jork, raportonte në Tiranë: Mrika Mrnaçaj ka lënë shtetësinë shqiptare në moshën 111 vjeçare dhe është bërë shtetase e imperializmit amerikan….Makineria e diktaturës jep alarmin:Kujdes se do të ketë efekt lajmi tek të internuarit dhe të burgosurit!Merrni masa…Operativët lëvizën. Hetuesit bënë gati akuzat dhe hapën Dosjet. Përgatitet burgimi i dytë i Nikollës, djalit të Mrikës, që kishte mbetë peng i shtetit komunist, ku pas 10 viteve burg prej 20 vitesh vuante internimin në Savër të Lushnjës me gjithë familjen.Përgatisin dëshmitarët e rremë dhe procesi montohet. Nikolla dënohet me 10 vjet burg. Nis sërish kalvari i ferrit.Kur i kishte mbetur dhe një vit e nxjerrin se ishte i sëmurë rëndë. Vdes sapo del nga burgu me 20 Janar 1989. I biri, Marku,arrin përmes një aventure plot vuajtje ta dërgojë arkivolin me trupin e babës për varrim në Shkodër, por u detyrua që ta varroste natën, nga që nuk ia dhanë lejën e varrimit.
Edhe të vdekur, ia kishin frikën, pat shkruar gazetari i ndjerë Bujar Muharremi, pas përmbysjes së diktaturës.

DËSHMORI I DEMOKRACISË NIK MRNAÇAJ

Kalvari i familjes Mrnaçaj, përgjakja e saj nga diktatura,burgosja dhe riburgosja e axhës së tij Nikolla, dhe së fundmi vdekja e tij me 20 Janar 1989, pas vuajtjeve nëpër burgje e kampe internimi, e kishin mbushur shpirtin e djalit të Marashit dhe të Mrijës, Nikës plot mllef kundër komunizmit. Veçanërisht pas vdekjes së Nikollës ai u bë më aktiv kundër shtetit komunist dhe dhe merrte pjesë në tubimet antikomuniste si në Nju Jork, Uashington, Michigan dhe kudo ku tuboheshin shqiptarët. Viti 1990 ishte plot shpresa për nacionalistët shqiptarë të Amerikës. Ata iu kundërvunë me të gjitha forcat shtetit komunist, që po përpiqej të kamuflohej. Pas tubimeve të fuqishme në Nju Jork(kur erdhi Ramiz Alia), një grup shkoi edhe në Michigan ku kryediplomati i shtetit komunist shqiptar në OKB, po organizonte një manifestim në mbrojtje të qeverisë komuniste që ishte në grahmat e fundit. Nika ishte në krye, por në kthim mdodhi tragjedia.Ishte 22 Janar 1990… Po sjell në këtë shkrim dëshminë që i pata marrë në maj 2015, kur po organizohej Dita e Lirsë shqiptare, për të 25-tin vit radhazi në White Plains, NY, bashkëudhëtarit të Nikës, Mark Tinaj, që e pa vdekjen me sy.
Rrefimi i Markut: “Në Detroit kishte shkuar ambasadori i atëhershëm shqiptar, Bashkim Pitarka.Nika e mësoi lajmin dhe na ftoi që t’i bashkoheshim dhe të shkonim atje për të protestuar në mënyrë paqësore. Kemi shkuar në Detroit dhe konstatuam se situata ishte shumë e acaruar. Ne të Nju Jork-ut nuk morëm armë me vete se menduam të shmangnim ndonjë tragjedi,por kur shkuam atje pati provokime dhe shkrepje armësh në ajër. Kishte nga ata që na qëlluan me gurë të mbështjellë me borë. Gjithësesi ne ruajtëm gjakftohtësinë. Shmangëm sa mundëm përplasjen vëlla me vlla.Ambasadori Pitarka dështoi në misionin e tij falë qëndrimit burrëror të Nikës dhe të tjerëve. Kthimi ynë për në Nju Jork ishte tejet i vështirë.Bënte mot i keq. Rrugët ishin vështirësuar nga bora dhe ngrica. Aksidenti ndodhi diku në Pensilvani. Mbaj mend një shpërthim të fuqishëm,një goditje e rëndë që erdhi nga pas prej një traku të rëndë, ishte një zhurmë e frikshme, që ngjasoi me një shpërthim të fuqishëm ekspolozivi.Traku nuk qëndroi, iku. Erdhi policia dhe më nxori nga makina.Unë po thërrisja për Nikën. Policia kërkoi gjatë. Trupi i Nikës nuk po gjendej. Nga forca e shpërthimit ai kishte dalë jashtë makinës dhe kishte hyrë mes gomave të mëdha të trakut. E kishte tërheqë zvarrë…Ishte e tmerrshme….”.
Tregimi i Markut është tronditës, ende dridhej nga përjetimi i atij aksidenti që i mori shokun e tij. Ai përmend detaje që ta bëjnë shpirtin copë.Tregon se si e shpërndau lajmin përmes telefonit dhe si e përjetoi ngjarjen tragjike…
Nika u përcoll si hero. Ishte vetëm 31 vjeç. Ceremonia qe madhështore, e përvajshme, solemne. Në respekt të Nikës-hero, në maj të vitit 1990,u ngrit Flamuri kuq e zi, para zyrave të Bashkisë në White Plains të Nju Jork-ut. Ceremonia organizohet çdo vit në Parkun“Kensico Dam Plaza”, në Valhalla, Westchester, Nju Jork, duke ngritë Flamurin shqiptar përbri atij amerikan dhe familjes Mrnaçaj i dorëzohet proklamata e bashkisë.
Emrin e dëshmorit të lirisë e mbanë edhe Shkolla e Mesme ne Tamarë, Kelmend, nga ku Nika qe larguar foshnjë 9 muajësh.
Pas rënies së diktaturës, presidenti i Qeverisë Demokratike shqiptare, dr.Sali Berisha i akordoi më 1993, medaljen “Martiri i Demokracise” me motivacionin. :” Luftoi gjithë jetën në mërgim kundër ideologjisë komuniste me flamurin e luftës për liri e demokraci”….